Kryetari Nuhi Neziri realizoi vizitë në Komunën e Vitisë

 

Kryetari i Komunës së Tearcës ( i shoqëruar nga Tahir Shabani-Ambasador i Paqes) realizoi vizitë në Komunën e Vitisë, ku u prit nga homologu tij Sokol Haliti. Gjatë këtij takimi, kryetari Neziri e ka njoftuar atë për zhvillimet e gjithëmbarshme në këtë komunë, konkretisht rreth projekteve që janë realizuar dhe atyre që pritet të realizohen. Gjithashtu në këtë takim është folur edhe për mundësitë e bashkëpunimit të dy komunave në interes të qytetarëve dhe atë, në kuadër të agjendave ndërkombëtare. Ndërkaq, kryetari i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri potencoi në këtë takim që kanë arritur të ndajnë shumë mendime dhe shumë projekte të përbashkëta që sipas tij i lidhin ato. Kryetari Haliti e çmoi lart vizitën e ztr.Nuhi Nezirit dhe të dy kryetarët u dakorduan që në takimin e radhës të dy institucionet të nënshkruajnë një dokument të bashkëpunimit në sferat që kanë më shumë nevojë këto dy komuna - bashkëpunimit në sferën e arsimit, kulturës, sportit e duke e veçuar fushën e bujqësisë.

 

Ndërkaq Tahir Shabani, Ambasador i Paqes, i cili ishte edhe nismëtar i këtij bashkëpunimi zyrtar i përgëzoi iniciativat e tilla. Ai tha se ato janë frymëzuese për bashkëpunim për të përgatitur agjenda ekonomike, diplomatike në mes të vendeve anëtare të BE-së dhe Brukselit, duke shtuar se, shumë shpejt do të bëhet propozimi i një agjende preliminare në BE që trajtojnë politika regjionale. Shabani tha se ata po punojnë edhe për të organizuar një samit të paqes me kryetarët e komunave nën patronazhin e BE-së.

 

Në vazhdën e kësaj vizite Kryetari Neziri u prit në takim edhe nga stafi i Televizionit Lokal (Komuna e Vitisë).

 

Posted on June 08, 2023

Copyright © 2021 - Komuna e Tearces · All Rights Reserved